Rreth nesh

About usTirana Ekspres (TE) prej më se një viti është qendra e gravitetit të kulturës alternative të kryeqytetit. Lindur si iniciativë e një grupi producentësh, artistësh, dhe aktivistësh të pavarur, kjo hapësirë ka shërbyer si katalizator i skenës së artit alternativ dhe mendimit social, në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjatë vitit të parë, TE ka realizuar bashkëpunime më një numër të konsiderueshëm të institucioneve më të rëndësishme, vendase dhe të huaja. Ekspozitat, eventet kulturore të iniciuara dhe organizuara nga TE, kanë pasur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë, Ambasadës Amerikane, Ambasadës së Republikës së Francës, Alliance Française, Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, British Council, Austrian Development, etj. Komuniteti i TE ka mundur të realizojë ndërveprimin mes grupeve profesioniste të art-kulturës dhe aksionit civil, si dhe rinisë aktive të angazhuar të qytetit tonë.

TE është një laborator idesh, por mbi të gjitha një punishte e veprimit konkret, ku akti krijues thuret mbi rrjetën e mendimit kritik, frymës së bashkësisë dhe përgjegjësisë civile. Si një organizëm njerëzor dhe profesional që ka si qëllim kryesor të përfshijë komunitetin e gjerë në procese transformuese social-kulturore, TE ka përpunuar zgjidhje realiste dhe konkrete ndaj problemeve që na rrethojnë në fushat e komunikimit shoqëror. TE nxit publikun e saj për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë historike, kulturore dhe natyrore, përmes krijimit dhe promovimit të nismave komunitare.

TE ka mobilizuar në kauzat që përfaqësojnë një publik aktiv prej rreth 6,000 individësh, dhe një publik on-line edhe disa herë më të madh. Kjo është arritur falë kombinimit dinamik të aktiviteteve në terren me prezencën on-line, në mënyrë të veçantë duke shfrytëzuar mediat sociale. Aktivitetet tona janë mbuluar nga të gjitha kanalet kryesore të komunikimit, televizionet dhe gazetat e mëdha kombëtare, si edhe një numër në rritje kanalesh ndërkombëtare, si Zëri i Amerikës. Shumë gazetarë dhe ekzekutivë marketingu janë pjesë aktive e publikut të Tirana Ekspres.

ÇFARË PO BËJMË

TE e ka përqendruar aktivitetin e saj në zgjerimin e marrëdhënieve të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me institucione, agjensi dhe forume shtetërore dhe publike, ndërkombëtare dhe lokale. Në funksion të këtyre proceseve të bashkëpunimit TE ka një rrjet të gatshëm komunikimi me publikun e ri të kryeqytetit.

Gjatë vitit të fundit TE ka organizuar më shumë se 100 aktivitete dhe projekte. Përveç nismave direkte, kjo hapësirë ka shërbyer edhe si vend takimi dhe shprehje i shumë nismave të tjera kulturore, artistike, sociale dhe mjedisore. Aktivitetet e mëposhtme janë vetëm një përzgjedhje e disa prej projekteve, si:

  • “Capture Albania”, ekspozitë dhe konkurs fotografie, në bashkëpunim me British Council;
  • “RESPEKT”, fushatë komunikimi dhe një seri koncertesh Rock në bashkëpunim me ADA (Austrian Development Agency);
  • Koncert i formacionit prej 40 instrumentistësh i kryeqytetit, realizuar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë;
  • “Balkan Beyond Borders”, festivali i filmit të shkurtër, realizuar me Tirana Art Lab dhe European Fund for the Balkans;
  • “Tre Net Arbëresh”, seri prezantimesh, ekspozitë, takime dhe shfaqje
    artistike nga grupe arbëresh, realizuar në bashkëpunim me Istituto Italiano di Cultura;
  • “Dita Botërore e Ambientit”, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane.

ÇFARË DUAM TË BËJMË

Duke u nisur nga një dinamikë tepër pozitive, të krijuar gjatë një periudhe vetëm një vjeçare, TE ka arritur në përfundimin se aktiviteti i saj është i rëndësishëm për skenën kulturore artistike të qytetit të Tiranës. Rrjedhimisht TE dhe rrjeti i saj mbështetës e shohin si të domosdoshme vazhdimësinë dhe zgjerimin e aktiviteteve art-kulturore. Në planet afatshkurtra qëllimi është të vazhdohet puna e deritanishme. Ndërsa në planet afatgjata TE parashikon krijimin e një kooperative për punësimin e artistëve, duke krijuar një sipërmarrje të vetëqëndrueshme.

Këtu mund të gjeni vendndohjen -Stationi No. 1-:

Rr. George W. Bush, Pall. 19, hyrja 3 / Tiranë, Shqipëri

Email: [email protected]